Me vendim të ministrit Lekaj, hapet për qarkullim rruga nacionale N2, segmenti Kaçanik - Hani i Elezit

Prishtinë, 29 maj 2018


Sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka marrë vendim për lejimin e qarkullimit rrugor për automjete në rrugën nacionale N2, segmenti Kaçanik-Hani i Elezit, në të cilën ishte ndaluar qarkullimi si pasojë e rrezikut të madh nga rrëshqitjet e mëdha të dheut dhe gurëve.


Pas ndërhyrjes në sanim të dëmit dhe evitim të rrezikut, nën mbikëqyrjen direkte të ministrit Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, kjo rrugë është lëshuar sot për qarkullim rrugor, me ç’rast ministri Lekaj duke iu adresuar mediave tha: “Sot po e shihni edhe vet që është bërë sanimi i kësaj rruge, e që është me rëndësi të veçantë për lidhjet e korridoreve dhe unë e falënderoi zotin Riyadh dhe bashkëpunëtorët që në kohë rekorde dhe më të shkurtë të mundshme e kanë sanuar gjendjen, për të cilën ne kemi menduar se nuk mund të sanohet për disa muaj, prandaj sot duhet t’i gëzohemi kësaj pune, sepse qytetarët tanë kanë patur vështirësi, transportuesit e mallrave kanë pasur vështirësi dhe ne e kemi bërë më të mirën të mundshme, por dua të them se qeveria nganjëherë duhet të merr edhe vendime jo populiste, por që janë për të siguruar jetërat e qytetarëve dhe kemi bërë mirë që e kemi marrë një vendim të tillë pa dashjen tonë, por që sot në afatin më të shkurtë të mundshëm po e lëshojmë në qarkullim këtë rrugë, prandaj duhet t’i gëzohemi të gjithë. Ne po punojmë çdo kund nëpër Kosovë dhe jemi afër qytetarëve dhe në shërbim të vendit. Mund të them që kompania në fjalë ka treguar seriozitet jo vetëm në këtë punë, por edhe në të gjitha punët që i ka kryer në Kosovë dhe duhet të jemi krenar që kemi zgjedhur një kompani të tillë që me të vërtetë i ka kryer punët ashtu siç duhet”, tha ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, me rastin e hapjes për qarkullim të kësaj rruge.


Ndërkaq drejtori i projektit nga kompania “Bechtel & Enka”, Riyadh Alkhazjari, tha se ndihet i lumtur që ai me bashkëpunëtorët e tij kanë bërë të mundur që kjo rrugë të hapet në afat sa më të shkurtë, me përkrahjen edhe të ministrit Pal Lekaj. Ai ka pohuar se dëmet janë sanuar dhe se janë bërë punime cilësore si në mënjanimin e dheut dhe gurëve që kishin rrëshqitur, ashtu edhe në asfaltimin e shtresës së re të asfaltit përgjatë pjesës që kishte rrëshqitur. 

Foto Galeria

Video Galeria

KOSOVO IN UNESCO