Ministrat Lekaj, Reshitaj, Gashi dhe zëvendësministri Shkodra, vizituan komunën e Gjakovës, u nënshkruan 5 marrëveshje bashkëpunimi

Gjakovë,


7 shkurt 2018


Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, së bashku me ministrat Albena Reshitaj nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, Kujtim Gashi nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit,  zëvendësministrin Abduselami Shkodra nga Ministria e Punëve të Brendëshme dhe zëvendësministrin e Infrastrukturës Rexhep Kadriu, vizituan sot komunën e Gjakovës dhe kryetarin Ardian Gjini. Ministrat dhe zëvendësministrat, këtë takim e kanë realizuar në kuadër të kornizës së Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me komunat. Në këtë takim janë nënshkruar pesë marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Gjakovës.


Pas këtij takimi, ministrat dhe zëvendësministrat së bashku me kryetarin Gjini mbajtën një konferencë për media.


Me këtë rast ministri Pal Lekaj, ka thënë se ky vit do të jetë një vit i rëndësishëm për komunën e Gjakovës, ngase kjo komunë do të jetë përfituese e shumë projekteve nga të gjitha ministritë e Qeverisë së Kosovës.


“Sot jemi në Gjakovë  për të vërtetuar faktin se komunat e Kosovës dhe qeveria janë duke bashkëpunuar ngushtë për realizimin e projekteve për të mirën e qytetarëve. Nga Gjakova, po japim mesazhin se pranvera që po vjen, do të jetë valë pune për Gjakovën dhe të gjitha komunat e Kosovës. Ne sot me kryetarin e Gjakovës, Gjini, nënshkruam një memorandum për bashkfinancim apo mbështetje që i ofrohet kësaj komune në infrastrukturë, në vlerë prej 14 milionë eurosh. Unë jam zotuar para Qeverisë së Kosovës dhe para qytetarëve të Kosovës, se Gjakova do ta marr trajtimin e merituar. Me keqardhje e them se kjo komunë, ka mbetur si zorrë qorre dhe nga sot po e merrë trajtimin që i takon. Të jeni të bindur se duke iu falenderuar kryeministrit të Kosovës dhe Qeverisë, kjo nismë simbolizon diçka të mirë dhe një bashkëpunim që është për t’u vlerësuar“, tha ministri Lekaj.  


Ndërsa kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, duke i falenderuar ministrat dhe zëvendësministrin, për këtë vizitë bashkëpunimi, ka deklaruar se komuna e Gjakovës do të jetë gjithmonë e gatshme për bashkëpunim, në shërbim të qytetarëve të komunës dhe vendit. Kryetari Gjini si projektin më të rëndësishëm e përmendi ndërtimin e qarkorës së qytetit, i cili do të fillojë së shpejti.


 “Gjatë kësaj vizite ne i nënshkruam pesë marrëveshje bashkëpunimi, për fillimin e punimeve infratsrukturore në Gjakovë, me ministrin e Infratsrukturës, Pal Lekaj, ndër to është fillimi i ndërtimit të qarkores. Por gjatë këtij takimi kemi biseduar edhe për projektet që janë duke vazhduar në komunën e Gjakovës, edhe me ministrat e pranishëm. Sot jemi fitues të ditës, por kjo fitore do të thotë një obligim, pasi që investimet kanë munguar për kohët të gjatë. Biseduam dhe për anulimin e kredisë për ndërtimin e rrugëve të komunës së Gjakovës, sepse nuk kemi nevojë për këtë kredi. Rrugët e komunës sonë do të ndërtohen nga buxheti i Kosovës”, tha kryetari Gjini. 


Edhe ministrat Reshitaj, Gashi, dhe zëvendësministrat Shkodra dhe Kadriu,  në adresimin e tyre për media e kanë ripohuar rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve qendrore me ato lokale, në mënyrë që të avancohen komunat, drejt një zhvillimi më të madh dhe ofrimit të një jete më të mirë për qytetarët e komunave në vend.  Ministrat kanë ritheksuar nevojën që komuna e Gjakovës të ketë trajtimin e duhur si nga ana ambientale, infrastrukturore, kulturore dhe e sigurisë.


Ministat e Qeverisë së bashku me kryetarin Gjini kanë vizitur edhe stacionin policor në Gjakovë dhe u njoftuan nga afër për punimet në ndërtimin e stacionit të ri në Gjakovë.

Foto Galeria

Video Galeria

KOSOVO IN UNESCO