U inaugurua fillimi i punimeve në zgjerimin e rrugës nacionale N 25, “Rrethrrotullimi Besi-Podujevë, segmenti Lluzhan-Gllamnik”

Prishtinë, 11 maj 2018


Sot, në Gllamnik të Podujevës ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, inauguroi fillimin e punimeve të rrugës nacionale N 25, “Rrethrrotullimi Besi-Podujevë, segmenti Lluzhan-Gllamnik”.


Duke iu adresuar mediave dhe qytetarëve ministri Lekaj tha: “Sot jemi duke e filluar një punë me rëndësi për Podujevën, për lidhjen e Prishtinës me Podujevën, përmes rrugës nacionale N 25, me gjatësi prej 4 kilometrash, me kosto të përafërt rreth 5 milionë euro, ndërsa punët do të kryhen për 200 ditë. Për mua si ministër dhe bashkëpunëtorët e mi, ky është një projekt i veçantë. Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me projekte të tilla. Sot e kemi filluar këtu në Podujevë, javën e ardhshme do ta fillojmë për Mitrovicë dhe mund të them që jam mjaftë i lumtur që ne po implementojmë me përpikëri të gjitha ato projekte që kanë fjetur për vite të tëra. Vetëm ky projekt kur ka filluar dhe asgjë nuk është bërë, prandaj unë jam i vendosur që çdo projekt ta fillojmë me kohë, por edhe ta implementojmë me përpikëri. Podujeva dhe qytetarët e gëzofshin këtë projekt dhe kërkoj nga kompania që të jetë e kujdesshme dhe të implementohet sipas kontratës i tërë projekti”,  tha në fund të fjalës së tij ministri Pal Lekaj.

Tutje ministri Lekaj ka thënë se brenda këtij viti do të vazhdojmë edhe me llotet tjera, sapo të përfundojnë procedurat që duhen ndjekur.


Ndërkaq nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari tha se ky projekt është i rëndësishëm për qytetarët dhe vendin, sidomos për ata që jetojnë në Evropë, sepse kjo është arteria kryesore që e lidhë Kosovën me botën e jashtme.

Foto Galeria

Video Galeria

KOSOVO IN UNESCO