U nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi mes ministrit Pal Lekaj e kryetarit Agim Bahtiri

Prishtinë,

13 prill 2018

 

Sot, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, ka vizituar Komunën e Mitrovicës dhe kryetarin e saj Agim Bahtiri, me ç’rast u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës për disa projekte infrastrukturore.

 

Ministri Lekaj, me këtë rast tha se Mitrovica duhet të ndihmohet edhe më shumë, ngase ky qytet është simbol i rezistencës dhe i të mirës së shtetit.

 

“Sot ne jemi në Mitrovicë që është simbol i rezistencës, simbol i së mirës së shtetit të Kosovës dhe  unë dhe bashkëpunëtorët ndihemi shumë mirë që na është dhënë rasti dhe hapësira që të mbështesim Mitrovicën dhe kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, në projekte që kanë impakt pozitiv edhe në lëvizjen e lirë dhe në sanimin e gjendjes, por edhe lidhjen e qytetit me zonat rurale. Janë disa projekte që ne si Ministri e Infrastrukturës do t’i mbështesim. Mitrovica këtë vit do të përfitojë edhe tunelin që është në hyrje të Mitrovicës, të cilin Ministria e Infrastrukturës e ka marrë përsipër dhe jemi në procedura për sanimin e tij, i cili do të jetë sipas standardeve evropiane. Po ashtu është duke u punuar në fillimin e punimeve për autostradën Prishtinë-Mitrovicë, dhe jemi zotuar së bashku me kryetarin dhe bashkëpunëtorët, që të fillojë sa më parë ky projekt aq i pritur nga qytetarët dhe që  ndikon në zhvillimin ekonomik. Unë e falënderoi kryetarin për të gjitha që po i bënë për Mitrovicën në infrastrukturë, por edhe në segmentet tjera, dhe themi që Qeveria e Kosovës, Z. Haradinaj dhe ne si Ministri e Infrastrukturës, do të jemi mbështetës të fuqishëm të Mitrovicës. Mitrovica ka nevojë edhe për zhvillim ekonomik si dhe për investime të tjera si arsimi dhe shëndetësia, por edhe në siguri. Ju siguroi se ne do të jemi mbështetës të fuqishëm të të gjitha projekteve, që ndikojnë në zhvillimin e Mitrovicës”, tha ministri Lekaj.

 

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, e ka falënderuar ministrin Lekaj për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, e cila sipas tij i jep një shtytje  infrastrukturës së Mitrovicës dhe projekteve infrastrukturore të saj. Bahtiri ka thënë se këto nuk do të jenë projektet e vetme ku bashkëpunohet me ministrin Lekaj, respektivisht Ministrinë e Infrastrukturës, ngase siç tha ai synim i të gjithëve  është që ta bëjnë shtetin e Kosovës, shtet evropian dhe me infrastrukturë moderne  dhe zhvillim ekonomik.

Foto Galeria

Video Galeria

KOSOVO IN UNESCO