Ministri

Lutfi ZharkuMinistër i Infrastrukturës

Ministri Lutfi Zharku, u lind më 1962 në Kaçanik. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, kurse studimet i vazhdoi në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, ku ishte një ndër studentët më të dalluar, duke qenë për 3 vite edhe bursist i Universitetit të Prishtinës.

Studimet pasdiplomike i vazhdoi në Universitetin e Beogradit në drejtimin e ekonomisë monetare dhe bankare, kurse titullin e doktorit të shkencave ekonomike e mori në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në korrik 2009 me temën në lëmin e implementimit të euros dhe ndikimin e saj në levizjen e çmimeve.

Ministri Zharku ligjeron në departamentin për banka, financa dhe kontabilitet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, ku është  në marrëdhënie të rregullt pune nga 1 tetor 2014 dhe ka thirrjen akademike të profesorit asistent.

Përpos kësaj, që nga tetori 2012 është profesor i angazhuar për lëndët Financa dhe Financa Ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Hasan Prishtina” Prishtinë në nivelin e studimeve bachelor dhe master, kurse që nga tetori 2011 e deri në emërimin e tij si ministër për infrastrukturë ka ligjëruar lëndët Financat e avansuara të korporatës (në nivelin master) dhe Analiza e pasqyrave financiare (bachelor) në BPrAL “Riinvest” Prishtinë.

Ministri Zharku pas diplomimit në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës u punësua për herë të parë në tetor 1986 në ndërmarrjen për prodhimin e materialit ndërtimor “SHARRI” në Han të Elezit, që përbëhej nga katër fabrika dhe numëronte afër 2,000 punëtorë. Duke treguar përkushtim dhe profesionalizëm vetëm pas 7 muajsh punësimi (maj 1987) u emërua në pozitën e drejtorit financiar të “SHARRI”-t, kurse pas dy vitesh (1989) emërohet drejtor komercialo-financiar duke u bërë një ndër menaxherët ekzekutiv më të ri në Kosovë, të cilin post e mbajti deri në gusht 1991, kur u shkarkua nga masat e dhunshme të ndërmarra nga pushteti serb. Deri në 1998 u angazhua në biznesin familjar në tregtinë e materialit ndërtimor.

Pas çlirimit të vendit për disa muaj punoi në Departamentin për tregti dhe industri në kuadër të strukturave të përbashkëta administrative, kurse në qershor 2000 përsëri u kthye në fabrikën e çimentos “SHARRI” në Han të Elezit (të komercializuar nga HOLCIM) në pozitën e drejtorit komercial dhe zëvendësit të drejtorit gjeneral e të cilën pozitë e mbajti deri në janar 2008, kur edhe u emeërua ministër në Ministrinë e tregtisë dhe industrisë.

Në jetën publike ministri Zharku u angazhua që nga zgjedhjet e para lokale në Kosovë duke u zgjedhur këshilltar komunal në Kaçanik (tetor 2000) si një ndër kandidatët më të votuar nga radhët e LDK-së. Në zgjedhjet e dyta lokale (2002) përsëri u zgjodh këshilltar komunal, të cilin post e mbajti deri në zgjedhjet e dyta nacionale (tetor 2004) kur për herë të parë u zgjodh deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës (legjislatura e II-të).

Në janar 2008 u emërua në postin e ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të cilin post e mbajti deri në tetor 2010, kurse në të njejtën kohë ishte edhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës (legjislatura e III-të). Në zgjedhjet nacionale të dhjetorit 2010 u zgjodh përsëri deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës (legjislatura IV-të), kurse në dhjetor 2014 u emërua ministër në Ministrinë e Infrastrukturës.

Përpos kësaj ministri Zharku ushtroi edhe funksione tjera publike. Në prill 2002 u emërua nga PSSP si anëtar i Bordit të Pavarur për Rishqyrtim të ankesave nga tatimet (BPR), kurse në shkurt 2008 u emërua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në postin e kryetarit të këtij Bordi. Gjatë periudhës nëntor 2003 – dhjetor 2005 shërbeu edhe si anëtar në bordin mbikqyrës të ndërmarrjes publike regjionale për grumbullimin e mbeturinave “Pastërtia” Ferizaj.

Ministri Zharku flet gjuhën angleze dhe serbe. Është i martuar me Meritën dhe kanë tre fëmijë (Donikën, Arianin dhe Teutën), kurse jeton në Kaçanik.

Foto Galeria

Video Galeria

KOSOVO IN UNESCO