Hanefi MuharremiZv. Ministër i Infrastrukturës
Zëvendësministri Hanefi Muharremi u lind më 30.08.1953 në fshatin Brrut të Komunës së Dragashit.

Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Prizren, kurse studimet në Universitetin e Zagrebit, ku ka marrë titullin Inxhiner i Komunikacionit Rrugor.

Përvoja e tij e punës ka filluar në shkurt të vitit 1982, kur është emëruar udhëheqës i transportit ndër-urban dhe ndërkombëtar në organizatën e përbërë të transportit rrugor “Kosova-trans”, në Prizren, pozitë të cilën e ka mbajte  deri sa masat e dhunshme te okupatorit e dëbuan nga puna, në nëntor të vitit 1992. 

Nga viti 1992 deri në vitin 1998 ka punuar në Ndërmarrjen Prodhuese Tregtare dhe Shërbyese “Art-Commerc-Tours” në Prizren.

Pas çlirimit të vendit kontributin e tij e ka dhënë edhe në shkollën e mesme profesionale,"Gani Qavdarbasha” në Prizren, ku gjatë periudhës 1999-2000 ka mbajtur katër lëndë profesionale të lëmisë së komunikacionit.

Në periudhën 2001-2007 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Komunikacion dhe Lidhje, respektivisht në Shërbimet Publike, ndërsa nga qershori i vitit 2007 deri në qershor të vitit 2008 ka qenë zëvendëskryeshef ekzekutiv i N.P. ”Hidroregjioni Jugor” sh.a. në Prizren me njësitë Prizren, Suharekë, Dragash dhe Malishevë.

Në periudhën 2008-2009 ka qenë kryeshef ekzekutiv i N.P. ‘‘Hidroregjioni Jugor” sh.a. në Prizren me njësitë: Prizren, Suharekë, Dragash dhe Malishevë.

Përveç angazhimeve të përmendura, Hanefi Muharremi ka zhvilluar edhe aktivitete të tjera të rëndësishme, nëpërmjet të cilave ka dhënë kontributin e tij të rëndësishëm politik e profesional.

Ne vitin 2009 nominohet kandidatë nga radhët e LDK-së, për Kryetar të Komunës së Prizrenit, ku spikat kultura e lartë  politike dhe civilizuese e tij, në një garë epike elektorale.

Hanefi Muharremi ka dhënë kontribut edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ku nga viti 2008 deri në prill të vitit 2015 ka qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve në A.N.P. ‘‘Adem Jashari”.

Në maj të vitit 2015 është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës, pozitë kjo në të cilën ndodhet edhe sot. 

Zëvendësministri Hanefi Muharremi flet gjuhën shqipe, serbokroate, turke dhe pjesërisht angleze.
Është i martuar dhe ka tre fëmijë. 
Që nga viti 1953 jeton në Prizren.

Foto Galeria

Video Galeria

KOSOVO IN UNESCO